Transmetuar më 02-07-2020, 18:54

Këshilli i Lartë Gjyqësor i është drejtuar me shkresë Ardian Dvoranit ku deklaron përfundimin e mandatit të tij në Gjykatën e Lartë.

KLGJ vlerëson se asnjë nga tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nuk e zëvendeson nominalisht Dvoranin, por secili prej tyre është emëruar për një mandat 9-vjeçar.

Por, nga ana tjetër, në situatën kur të tre po ushtrojnë detyrën dhe kur edhe për vendin e katërt nga juristët e spikatur ka nisur procedura e plotësimit, pa asnjë mëdyshje çon në përfundimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.

KLGJ vlerëson se prania e gjyqtarit të katërt në Gjykatën e Lartë nga juristët e spikatur, kur tre të tjerë janë emëruar nuk sjell dhe as garanton funksionimin normal të kësaj gjykate në lidhje me gjykimin e çështjeve nga trupa 5-anëtarëshe apo në Kolegje të Bashkuara.

Po ashtu, sipas KLGj, prania e gjyqtarit të katërt nuk sjell dhe as garanton funksionim të shtuar të kësaj gjykate në raport me praninë e vetëm tre gjyqtarëve.

Në përfundim të shkresës, KLGJ i jep një jave kohë Dvoranit, sipas ligjit, për të shprehur interesin e tij me shkrim ne në Këshill për t’u emëruar si gjyqtar në një Gjykatë Apeli.