Transmetuar më 02-07-2020, 19:00

Në Kiev 2017 shkoi për herë të parë në Eurovizion dhe përfaqësoi Shqipërinë. Lindita Halimi u përfaqësua me baladën e saj të fuqishme “Botë”.

Megjithë aftësinë e saj mbresëlënëse vokale, ajo nuk ia doli ta çonte Shqipërinë në finalen e Eurosong.

Por tani, pas tre vjetësh, diva kosovare e muzikës Lindita Halimi ka shprehur dëshirën e saj për t’u rikthyer në festivalin Europian. Këtë herë dëshiron të përfaqësojë një vend tjetër.

Linda në Eurovision 2017 me këngën "Bota" përfundoi e 14-ta, duke mos kaluar gjysmëfinalet.

Përmes një mesazhi në "Twitter", Linda Halimi ndezi debate të shumta.

Fituesja e Festivalit të Këngës tre vite më parë i pyeti 7000 ndjekësit e saj në Twitter: Çfarë mendoni për mua, nëse kthehem në Eurovision për të përfaqësuar një vend tjetër? Vetëm sepse kam shijuar përvojën time të  parë”.

Halimi mori dhjetëra përgjigje nga fansat, që i luteshin asaj të kthehej.

Sigurisht, kjo pyetje ngre një çështje tjetër. Jo shumë vende lejojnë të huajt që të marrin pjesë në finalet e tyre kombëtare. Sidoqoftë, kjo nuk i ndaloi fansat të hedhin kandidaturat: Spanja, Maqedonia e Veriut, Moldavia. Një fans i sugjeroi "Serbinë", por Lindita e përcolli këtë sugjerim me paqe dhe shpresë duke cituar pjesë nga nga teksti i këngës "Bota" me "Le të jemi bashkë të gjithë".

Por nga të gjitha vendet e sugjeruara për Linditën, ka tërhequr veçanërisht interesin e saj – Spanja. Meqenëse Spanja e zgjedh përfaqësuesin pa kritere të njohura të përshtatshmërisë, mund të jetë e mundur. Nuk dihet nëse Lindita ka ndonjë lidhje me Spanjën, por vështirë se transmetuesi kombëtar Spanjoll RTVE do të mund të zgjedhë një kandidaturë jashtë vendit të tyre.

Lindita u tha fansave të saj se "përfaqësimi i Spanjës do të ishte ideal", duke shtuar faktin se më parë ajo ka jetuar në kombin iberik.

Cilat vende të tjera mund të përfaqësonte ajo?

Ndërsa disa vende kanë rregulla të rrepta të kombësisë, të tjera – veçanërisht San Marino dhe Qipro – janë të njohura për dërgimin e interpretuesve nga vende të tjera për t’i përfaqësuar në Eurovizion. Eleni Foureira, e cila mori rezultatin më të mirë të Qipros në 2018, është gjithashtu me origjinë nga Shqipëria, por u rrit në Greqi. Për San Marinon historia është ndryshe, sepse zakonisht përfshin artistin që bashkëpunon financiarisht me transmetuesin.

Vende të tilla si Letonia dhe Norvegjia inkurajojnë që kandidatura e tyre duhet të jetë lokale, por teorikisht lejojnë edhe jo-shtetasit e tyre të marrin pjesë në përzgjedhjen kombëtare. Vende të tjera, të tilla si Estonia, lejojnë një interpretues jo-lokal, nëse interpreton këngën në gjuhën e tyre.

Një tjetër mundësi është që Lindita të përfaqësojë Kosovën. Ajo ka lindur në Kosovë dhe identifikohet si shqiptare. Nëse Kosova do të ishte në gjendje të anëtarësohej në EBU dhe të merrte pjesë në Eurovision, Lindita do të ishte një zgjedhje e shkëlqyeshme e saj, si artiste debutuese. Sidoqoftë, Kosova ende nuk i plotëson kriteret aktualisht për t’u anëtarësuar në Eurosong.

/NOA.al