Transmetuar më 02-07-2020, 19:14

PD e ka gati listën me kandidatët për deputetë. Kandidatët pasi kanë marrë besimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, kanë filluar përgatitjet një vit para zgjedhjeve.

Kjo strategji e PD-së ka për qëllim që kandidatët e përzgjedhur të kenë kohën e mjaftueshme, për të bërë përgatitjet e duhura në zonat përkatëse.

PD-ja është forca e parë politike që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo shihet si strategji që kjo forcë politike të rikthehet në pushtet, pas tetë vitesh në opozitë.

Në bazë të kësaj strategjie, përmes përzgjedhjes së parakohshme të kandidatëve, duket se ka një marrëveshje të fshehtë mes forcave kryesore politike, për listat dhe sistemin zgjedhor, që duket se nuk do të ndryshojë pavarësisht insistimit të opozitës parlamentare. Listat do të mbeten të mbyllura.

Kryetari i Degës Lokale të Partisë Demokratike në Korçë, Andrea Mano njoftoi sot se ka dhënë dorëheqjen për t’u bërë pjesë e garës për deputet, duke u zhveshur kështu nga detyra e tij, të cilën e mban prej vitesh.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas marrëveshjes së Reformës Zgjedhore, ishte vënë në kërkim të ekipit të ri drejtues, që i ka përzgjedhur dhe me ta synon te rikthejë Partinë Demokratike në pushtet.

Edhe pse para kanë mbetur ende shumë muaj nga zgjedhjet e reja, duket qartë se Basha i ka përcaktuar prej disa ditësh emrat e kandidatëve me të cilët do të garojë.

Nisja e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve të mundshëm për deputetë, në selinë blu, ishte paralajmëruar nga Basha pak kohë më parë.

Ky proces ka sjellë deri tani dorëheqjet e para nga radhët e drejtuesve lokalë, njëri prej të cilëve ishte sot kryetari i degës së Korçës, Andrea Mano.

Më herët ishte kreu i degës së PD-së së Fierit Luan Baçi, që bëri të njëjtën gjë.

Mano tha se ka hequr dorë nga mandati, në respekt të parashikimit të udhëzimin të ri që drejtuesit lokalë duhet “të zhvishen” nga funksionet e tyre.

Drejtuesit lokalë kishin afat 5 ditor për të paraqitur dorëheqje nga funksioni partiak, ndërsa kryesia e partisë, brenda 5 ditëve do duhet të komandojë një kryetar deri në zhvillimin e kuvendit të ri të degës.

Ende nuk ka një informacion se kush do të zerë vendin e Andrea Manos dhe do të marrë kështu drejtimin e demokratëve për Korçën, apo edhe për Fierin.

Në të gjitha qarqet dhe degët e rretheve, PD me përzgjedhjet e kandidatëve për deputetë, ka nisur njëkohësisht edhe reformimin e tyre, përmes emrave të rinj.

Të njëjtën strategji PD do të ndjekë edhe për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale, të cilët besohet se do të mbahen paralelisht, ose para atyre parlamentare./NOA.al