Transmetuar më 02-07-2020, 21:09

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja  e rëndë, e ndodhur sot në Kombinat, ku u gjetën pa jetë nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi, ndërsa vajza tjetër e familjes, Blerta, ndodhet në gjendje të  rëndë, në spital.

Drejtori i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi tha se eksperti mjeko-ligjor dha konfirmimin e parë, se vdekja e tyre dyshohet se ka ardhur nga vetëflijimi i tyre.

Mësohet se Zhaneta Josifi dhe të bijat, Anisa dhe Blerta Josifi, ishin besimtare të një sekti fetar në vendin tonë.

Jaupi pranoi se janë gjetur shënime të një besimi fetar brenda banesës së tyre, por hetimet do të përcaktojnë shkaqet e tragjedisë së rëndë familjare.

I ati i dy vajzave nuk jetonte, ndërsa dyshohet se ata e kanë ndërmarrë aktin e rëndë të vetëflijimit pasi besonin tek ringjallja dhe një jetë më e mirë.

Në trupin e viktimave sipas policisë nuk janë konstatuar shenja dhune.

Ato dyshohet të jenë vetëvrarë duke nga konsumimi i një sasie helmi.

Zhaneta Josifi jetonte me dy vajzat e saj, të dyja të arsimuara me shkollë të lartë, pasi bashkëshorti i kishte ndërruar jetë.

Me një deklaratë për mediat, Policia bëri me dije se ka qenë pikërisht vëllai i të ndjerës Zhaneta që kishte lajmëruar në Komisariat, pasi e motra nuk po i përgjigjej në telefon. /NOA.al