Transmetuar më 02-07-2020, 21:23

Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë tha sot se shumë psikologë nuk kanë paguar ende kuotizacionin për vitin 2020, duke sjellë në këtë mënyrë ushtrim të profesionit në shkelje të hapur me ligjin.

Po kështu, ka një kategori anëtarësh të cilët kanë akumuluar pagesa të detyrueshme tek UP, për shkak të mos shlyerjes së tyre në kohë, psh., mospagesa licencash apo mospagesa kuotizacioni të viteve të mëparshme.

Urdhri i Psikologut tha se çdo anëtar, i cili ka detyrime të mbartuara pranë institucionit tha se detyrimet e anëtarëve ndërpriten, pra nuk akumulohen më, vetëm nga momenti që ata bëjnë një kërkesë zyrtare pranë UP, për ndërprerje të anëtarësisë. Ndërprerja e anëtarësisë sjell si pasojë ndërprejen e ushtrimit të profesionit.

Institucionet publike të të gjithë vendit janë vënë në dijeni për këtë problematikë dhe aktualisht po vijohet me njoftimin e institucioneve jopublike.

Informacioni për psikologët që e ushtrojnë aktualisht profesionin në kundërshtim me ligjin, do t’i vihet në dispozicion autoritetit tonë kompetent si dhe organeve tatimore.

Urdhri i Psikologut ju bënë thirrje anëtarëve të cilët ende nuk kanë shlyer detyrimet të tregojnë përgjegjësi në shlyrjen e tyre dhe ushtrimin e profesionit sipas ligjit. Kjo përgjegjësi ndihmon gjithashtu edhe mbarëvajtjen e institucionit.

/NOA.al