Transmetuar më 02-07-2020, 21:31

Situata është përkeqësuar javët e fundit në vendin tonë. Spitalet janë raportuar të jenë vatra infeksioni, duke shkaktuar dhe infektimin e disa infermierëve dhe mjekëve, ndërsa një mjek pak ditë më parë humbi jetën.

Silva Bala, shefja e shërbimit të pneumologjisë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, tha se deri tani në këtë spital, që njihet më së shumti me emrin Sanatorium nuk ka raste të mjekëve apo infermierëve të infektuar me COVID-19, por shtoi se ka shtim të pacientëve me simptoma të rënda edhe në moshat e reja.

“Struktura moshore e pacientëve ka ndryshuar, tani paraqiten edhe mosha të reja. Paraqiten nga urgjenca e Tiranës dhe ato të rretheve dhe i nënshtrohen të gjitha ekzaminimeve të domosdoshme, skaneri, testet, ekzaminimet biologjike.

Konfirmimi i imazheve radiologjike, ekzaminimeve biologjike, të gjitha këto teste bëjnë që këta pacientë më tej të nisen në spitalin infektiv Covid1 për ndihmë të specializuar.

Shumë raste që paraqiten janë në mosha të reja, pa komplikacione dhe sëmundje bashkëshoqëruese, vetizolohen dhe ndiqen nga mjeku ambulator. Ka edhe raste që janë konfirmuar pozitivë dhe nuk kanë imazhe radiologjike shqetësuese për jetën e tyre”, tha ajo.

Bala foli edhe lidhur me vatrën e infeksionit në QSUT, ku rezultojnë disa mjekë dhe infermierë, por edhe pacientë të prekur nga COVID-19. Ajo u ndal tek një prej tyre, mjeku Arjan Pushi, i cili humbi jetën pak ditë më parë pasi u prek nga ky virus. Znj. Bala thekson faktin se QSUT është qendra më e madhe spitalore në vend, ku kryhen çdo ditë qindra e mijëra ekzaminime.

Ajo shton se mjeku Arjan Pushi punonte në një departament shumë të vështirë, ku shtrohen të sëmurë shumë rëndë dhe sipas saj një moment ai mesa duket ka harruar veten para detyrës.

“Me mjekun që vdiq punonim në të njëjtin departament. Por mjekët që punojnë në vijën e parë, që kanë bërë një betim dhe që janë në krye të kësaj pune, nuk mundet kurrë që të thonë se jemi të frikësuar, nuk mund të dorëzohen para sëmundjeve të popullit, por ne duhet të tregojmë shumë kujdes.

QSUT sot në media e përmendim për infeksionin. Por nuk duhet të harrojmë se ajo është qendra më e madhe spitalore në vendin tonë, me 50 shërbime ku paraqitjen qindra-mijëra raste për t’u operuar apo marrë mjekime të ndryshme. Mjeku që vdiq ka qenë i detyruar të japë ndihmë, por ka harruar edhe veten e tij dhe është infektuar”, tha znj. Bala.