Transmetuar më 02-07-2020, 21:37
Arjan Pushi

Shefja e shërbimit të pneumologjisë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi, Silva Bala, sonte foli lidhur me vatrën e infeksionit në QSUT, ku rezultojnë disa mjekë dhe infermierë, por edhe pacientë të prekur nga COVID-19.

Ajo u ndal tek një prej tyre, mjeku Arjan Pushi, i cili humbi jetën pak ditë më parë pasi u prek nga ky virus. Znj. Bala theksoi faktin se QSUT është qendra më e madhe spitalore në vend, ku kryhen çdo ditë qindra e mijëra ekzaminime.

Ajo shtoi se mjeku Arjan Pushi punonte në një departament shumë të vështirë, ku shtrohen të sëmurë shumë rëndë dhe sipas saj një moment ai mesa duket ka harruar veten para detyrës.

“Me mjekun që vdiq punonim në të njëjtin departament. Por mjekët që punojnë në vijën e parë, që kanë bërë një betim dhe që janë në krye të kësaj pune, nuk mundet kurrë që të thonë se jemi të frikësuar, nuk mund të dorëzohen para sëmundjeve të popullit, por ne duhet të tregojmë shumë kujdes.

QSUT sot në media e përmendim për infeksionin. Por nuk duhet të harrojmë se ajo është qendra më e madhe spitalore në vendin tonë, me 50 shërbime ku paraqitjen qindra-mijëra raste për t’u operuar apo marrë mjekime të ndryshme. Mjeku që vdiq ka qenë i detyruar të japë ndihmë, por ka harruar edhe veten e tij dhe është infektuar”, tha znj. Bala në intervistën për Euronews Albania.