Transmetuar më 02-07-2020, 22:29

Dy vajzat e familjes Josifi në Tiranë, ishin të lidhura me një subjekt fetar protestant. Ka qenë vëllai i 56-vjeçares, Zhaneta Josifi ai që ka vënë në lëvizje forcat e policisë dhe zjarrëfiksit që shpërthyen derën e apartamentit në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Tiranë ku u gjendën pa jetë nënë e bijë.

Sipas burimeve zyrtare ai ka njoftuar i shqetësuar policinë sepse motra e tij nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk i hapte derën e banesës.

Kur forcat e policisë ndërhynë ata u përballën me pamjen tragjike. Zhaneta Josifi dhe vajza e saj Anisa Josifi 30 vjeçe kishin ndërruar jetë. Në banesë ishte edhe vajza tjetër, Blerta Josifi, 34 vjeçe, e cila ishte ende gjallë dhe është dërguar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dyshimet e para të policisë thonë se kemi të bëjmë me vetëvrasje. Nëna dhe vajzat jetonin të vetme, pasi bashkëshorti i 56-vjeçares dhe babai i dy motrave është ndarë nga jeta kohë më parë.