Transmetuar më 03-07-2020, 08:58

“Fundi i arratisë” u kodua një operacion i policisë dhe forcave RENEA në Bulqizë duke vënë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shumëkërkuar për vrasje dhe gjobëvënie.

Në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u organizua operacioni në kuadër të të cilit, në fshatin Vajkal të Bulqizës, pas rrethimit të banesës dhe ndërhyrjes profesionale u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit të kërkuar Fadil Tërnova, 32 vjeç.

I riu në momentin e ndërhyrjes u gjend i fshehur në ambientet e bodrumit të hapur enkas në një prej dhomave, që ishte i mbuluar me pllakat e dyshemesë.

Gjatë operacionit, forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë tip ‘Glock’ që e mbante pa leje dhe fishekë luftarak.

Tërnova ishte person i shpallur në kërkim që prej vitit 2018, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosje për të mos kallëzuar krimin” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Për këto vepra penale, Gjykata e Shkalles së Parë Dibër i ka caktuar këtij masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Tërnova është person me rrezikshmëri të theksuar kriminale. I dënuar për vrasjen e shtetasit Shefqet Shehyu, në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, i arrestuar e dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, si dhe i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale kundër personit si “Përndjekja”, “Kanosja”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik’’ dhe “Shkatërrim i pronës’’.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është organizator dhe autor kryesor për disa raste të ndodhura më parë për “Shtrëngim për dhënie pasurie”, ndërsa në ngarkim të tij materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al

Vrasje gjobëvënie, “Fundi i arratisë” kap të fshehur në bodrum një person me rrezikshmëri të lartë/EMRILAJMI: https://noa.al/lajmi/2020/07/2172139.html

Publiée par Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA sur Jeudi 2 juillet 2020