Transmetuar më 03-07-2020, 12:18
Gentjan Duraku

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin ditën e sotme, për Gentjan Durakun, duke e dënuar me 7 vite burg.

I riu u gjet fajtor për grabitjen e 29 banesave në Gjermani, gjatë viteve 2015-2017, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Duraku u shpall fajtor pasi në bashkëpunim me Ervis Dalipaj dhe Nihat Xhaferaj, të dënuar nga drejtësia gjermane, kanë kryer vjedhjet e përsëritura.

Ai u dënua me 11 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e 1/3-ës së dënimit, duke u dënuar me 7 vite e katër muaj burg, për veprat penale “Vjedhja, kur ka sjellë pasoja të rënda”, në bashkëpunim në formën e posaçme të të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Mësohet se banda e grabitësve, vepronin çdo ditë të javës, ndërsa ditën e diel e bënin pushim, teksa pjesë e saj ishin rreth 40 persona.

Pasi u shpall në kërkim, Duraku u kthye në Shqipëri. Ai përdorte pasaportën e të vëllait, për të udhëtuar jashtë vendit dhe kjo bëri që dyshimet e para të mos binin mbi të. /a.y/noa.al