Transmetuar më 03-07-2020, 12:59
Endrit Dokle

Operacioni Forca e Ligjit shënjestron si të dyshimtë pasurinë e katër personave në Tiranë dhe Durrës.

Mes tyre është ish-kreu i bandës së Durrësit, Endrit Dokle, motër dhe vëlla Hekuran Hoxha, Fatbardha Hoxha dhe Tedi Hoxhës.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Endrit Dokle, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale;

-Hekuran Hoxha, banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;

-Fatbardha Hoxha, banuese në Durrës, e dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;

-Tedi Hoxha, banues në Durrës, i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Instalim i pajisjeve interceptuese”, “Ndalim i komunikimeve informatike ose telematike” dhe “Konspiracion penal me synim aksesin e paautorizuar në sistemin e informacionit”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al