Transmetuar më 03-07-2020, 16:37

Partia Demokratike mbështet dialogun mes Pirshtinës dhe Beograit, me qëllim njohjen reciproke.

Kryedemokrati Basha u shpreh pas takimit me Kryeministrin e Kosovës se me Hotin folnë për sfidat e integrimit.

“Kam kënaqësinë e veçantë t’i uroj mirëserdhjen e veçantë kryeministrit Hoti dhe i uroj punë të mbarë. Me Hotin kemi diskutuar sot për një numër çështjesh të rëndësishme, së pari dhe mbi të gjitha për sfidat që ka Kosova drejt rrugës së integrimit. Partia Demokratike mbështet objektivat e vendosura nga autoritetet e Kosovës, qëllimin, arsyen dhe përfundimin e këtij procesi, njohjen reciproke mes dy vendeve, dhe natyrisht të gjitha aspektet e tjera me përfitim për qytetarët e dy vendeve dhe më gjerë”, tha Basha.

Ky i fundit u shpreh se do e marrë si shembull dhe frymëzim mënyrën se si qeveria e Kosovës do përballet me pasojat ekonomike të shkaktuara nga Covid-19.

“Dëgjova me interes nga kryeminstri Hoti, i cili vjen me kredenciale me përvojë politike por edhe me një përvojë shkencore në fushën e ekonomisë, mbi planin e tij ekonomik përsa i përket punësimit dhe ekonomisë në Kosovë, qoftë për pasojat e Covid-19 por edhe për vitin e ardhshëm.

Për ne si opozitë përbën një shembull, një frymëzim, për mënyrën sesi qeveria Hoti po përgatitet të përballet me këto pasoja, dhe për lehtësuar dhimbjet dhe problemet që kanë shkaktuar te qytetarët e Kosovës.

Dua të shpreh besimin tim se në drejtimin e kryeminstrit Hoti, Kosova do dijë t’ja dalë mbanë. Ka të gjithë përvojën, mençurinë për të ecur përpara, pavarësisht situatës aktuale politike, drejt një synimi të përbashkët i cili është një shtet i fortë, demokratik, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian”. 

Nga ana tij, kryeministri i Kosovës pohoi se gjatë takimit me Bashën kishte diskutuar për problematikat midis dy vendeve.

“Kemi ndarë të gjitha shqetësimet, çështjet që duhet t’i adresojmë si dy shtete, përfshirë edhe taksën e Rrugës së Kombit. Kam zotimin e zotit Basha, që ajo taksë do të hiqet”, u shpreh Hoti. /k.k/noa.al/