Transmetuar më 04-07-2020, 00:15

Mjeku Erion Dasho deklaroi në “Ditari” në A2 se publiku ka humbur besimin te Komiteti i Ekspertëve dhe për këtë arsye ka një shtim të rasteve ditore me koronavirus në vendin tonë.

“Kur ky komitet na rekomandoi të izoloheshim, u izoluam. Por, karantina u tejzgjat dhe ajo periudhë nuk u përdor për të ndërtuar strategji efikase. Kur shikon se si spitali bëhet vatër infeksioni, publiku e merr si mesazh “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”. Kur spitali dhe administrata nuk marrin masa, publiku merr mesazhin e gabuar”, tha Dasho.

Sipas tij, strategjia që u ndoq nga Shqipëria ishte e gabuar: “Mbyllja nuk është kurrë strategji e mirë. Ajo e parandalon përhapjen e virusit, por shkakton dëm në shëndetin mendor dhe ekonomi. Mbyllja justifikohet 2-3 javët e para, kur virusi sapo hyn, ndërkohë që riorientohet shërbimi shëndetësor, përgatiten bizneset që të operojnë në mënyrë të sigurt, punëdhënësit kalojnë aktivitetin nga zyra në shtëpi. Këtë bënë vendet e suksesshme, ndërsa ne patëm një karantinë të tejzgjatur, shumë të rreptë dhe mbi të gjitha me masa të çuditshme: një herë dilnin gratë me fëmijët deri 10 vjeç, një herë gratë me fëmijët deri 14 vjeç e kështu me radhë”.

Mjeku theksoi se “strukturat shtetërore e kanë lënë në mëshirë të virusit popullatën, për këtë arsye njerëzit duhet të marrin vetë masat: të mbajnë maskë në ambiente të mbyllura dhe të respektojnë distancimin social në ambiente të hapura”.

“Nuk më shqetësojnë shifrat ditore, por fakti që vatër e Covid-19 është QSUT”

Mjeku Erion Dasho, komentoi edhe shifrat e rasteve ditore që po raportohen javët e fundit dhe tha se ato nuk janë shqetësuese. Sipas tij, shqetësues është fakti se QSUT-ja është kthyer në vatër infektimi.

“Shifrat nuk më shqetësojnë, të kesh 80-90 raste në ditë nuk përbën shqetësim sepse ne e kemi kapacitetin trajtues për të pritur pacientët. Dihet që 85% e të prekurve nuk kanë nevojë për shtrim në spital. Pra, ndonëse konstatojmë rritje të theksuar të rasteve, personat në terapi intensive janë pak”, tha Dasho.

“Shqetësim për mua përbën mënyra se si janë infektuar këta persona. Ajo që ndikoi në përhapje ishte QSUT, një vend ku shkojmë për t’u shëruar. Shohim që edhe në biznese me shumë persona ka patur vatra”, shtoi Dasho.