Transmetuar më 04-07-2020, 00:38

Mjeku Petrit Vargu thotë se mendon se jemi në situatë alarmante ndërsa tha se Shqipëria është në dorën e 7 grave dhe të tjerët e deklaratat e tyre në studiot televizive janë përgënjeshtruar.

Sipas Vargut i cili foli sonte në Fax News, nëse hapja do të ndodhte në bazë të një planifikimi dhe mirëstrukturimi e jo në bazë të urdhrave nga lart mund të përfitohej sepse agresiviteti i koronavirusit është ulur.

“Hapja e karantinës nuk u bë në një plan të strukturuar, por me një urdhër. Do të hapeshin restorantet, mjetet publike, aktivitetet prodhuese, kush do hapeshin me herët e kush më vonë. U caktuan disa data me një buzëqeshje të shtirur e atyre që drejtojnë.

Njerëzit që drejtojnë shëndetësinë janë inkopetentë, Shqipëria me gjithë respektin e madh për gratë, është në dorën 7 grave, zonjës Bino… dhe 6 punonjëseve të tjera. Të tjerët dalin në studiot e televizioneve. Nuk kanë të nxjerrin asgjë përveçse "kollituni tek bërryli dhe lani duart". Ato që kanë thënë nëpër televizione janë përgënjeshtruar nga faktet. Jemi në pragun ku agresiviteti është ulur, por jo në masë të atillë që të stopojë pandeminë. Do na ndihmonte shumë nëse hapjen do ta bënim të planifikuar, të studiuar në bazë të projeksioneve dhe jo urdhrave që vijnë nga lart”, tha Vargu.

“Kurrë mos thuaj kurrë me pandeminë, është si puna e fizarmonikës, njëherë tkurret njëherë lëshohet, nuk ka një kurbë. Natyrisht duheshin marrë shembuj nga vendet e zhvilluara. Ne nuk po marrim dot specialistë të huaj. Por kjo është një mënyrë hermetike që e kemi mbajtur të mbyllur këtë situatë pandemike. Madje e kemi mbajtur të mbyllur ndaj kolegëve shqiptarë jo më ndaj të huajve”, shtoi Vargu.