Transmetuar më 04-07-2020, 01:19

Blerta është e vetmja e mbijetuar nga familja Josifi, të cilën e kanë ndjekur tragjeditë që prej vendit të origjinës, Përmeti.

Fillimisht vrau veten babai duke u hedhur nga pallati, dyshohet për shkak të problemeve ekonomike dhe pamundësisë për të furnizuar familjen me para sepse ishte invalid.

Në këto kushte, familja u transferua në Tiranë për një jetë më të mirë, por këtu janë indoktrinuar nga një organizatë fetare.

Burime nga policia bëjnë me dije se Blerta Josifi është në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe gjendet e shtruar në Urgjencën e Psikiatrisë në QSUT, ndërsa mësohet se ajo është e vetëdijshme dhe reagon duke qarë vazhdimisht.

“Kam humbur familjen”, është shprehur ajo duke vijuar të qajë. Blerta Josifi u ka treguar efektivëve të Policisë, se kishin mbi 40 ditë që nuk konsumonin ushqim.

Gjithashtu ka treguar se e motra kishte disa muaj që kishte ndërruar jetë, gjë që pritet të verifikohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

“Nëna e prishi sakrificën, vdiq! Unë ia dola, jam ende gjallë. Do të ringjallem. Ju nuk e keni idenë se çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen", – mësohet se është shpehur ajo.

Zhaneta Josifi dhe motra e Blertës, Anisa u gjetën të vdekura brenda shtëpisë së tyre mbrëmjen e djeshme pasi vëllai i gruas njoftoi policinë sepse nuk kishte patur lidhje me to prej disa ditësh.

Ekspertiza mjeko ligjore paraprake e trupit të Anisa Josifit ka dalë në përfundimin se vajza ka vdekur 15 muaj më parë. Sipas ekspertëve, trupi është mumifikuar sepse është mbështjellë ditë pas dite me çarçafë të hollë. Zhaneta dhe Blerta lyenin trupin me vaj dhe me uthull për të mos lejuar dekompozimin dhe për të shmangur erën e keqe.

Trupat u gjetën në dhoma të ndryshme. Vajza gjendej në dhomën e saj, ndërsa e ëma përtokë në dhomën tjetër. Ndërsa Blerta, e vetmja e mbijetuar u gjet në korridorin e banesës por e vetëdijshme.