Transmetuar më 04-07-2020, 20:51

Sekuestrohen 14 kg kanabis në një makinë në Pogradec.

Mësohet se në pranga kanë rënë 3 persona, me inicialet  A. P., 42 vjeç, E. Ç., 22 vjeç, E. H., 23 vjeçe.

Të tre personat po udhëtonin me makinë tip “Ford” gjatë aksit Lin-Pogradec ku janë ndaluar nga autoritetet.

Njëri prej tyre, shtetasi me iniciale A.P. tentoi të largohej duke u hedhur në liqen.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin këta shtetas po udhëtonin, në bagazh, u gjet një sasi prej 14 kg e 300 gr kanabis.

Ndërsa edhe në banesën e shtetasit E. Ç., u gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Në vijim të punës për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në drejtimin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave të lartpërmëndura është finalizuar operacioni policor i koduar "Lini", si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. P., 42 vjeç, banues në fshatin Qafëzez, Kolonjë (i dënuar më parë për veprën "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve"), E. Ç., 22 vjeç, banues në Librazhd, E. H., 23 vjeçe,  banuese në Durrës” – njofton policia.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik"./noa.al/