Transmetuar më 04-07-2020, 21:12

Një automjet tip Lamborghini  është ndaluar gjatë ditës së sotme për shkak të shpejtësisë, tej normave të lejuara.

Automjeti u ndalua në bypass-in Fier – Vlorë.

Në rrugën që lejohet të lëvizet me shpejtësi deri në 120 km/ h, shoferi me makinën tip Lamborghini ka lëvizur me 236 km/h, duke thyer çdo limit shpejtësie.

Siç shihet në këtë video, makina ngjyrë portokalli ka qenë me një shpejtësi marramendëse, duke u shndërruar në një rrezik serioz jo vetëm për veten e tij, por edhe për shoferët e tjerë në këtë aks rrugor.

Policia rrugore njofton se në këtë rrugë janë hequr patentat 21 shoferëve.

“Në ByPass-in Fier – Vlorë. Vijon kontrolli me nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për aksidente rrugore. E papranueshme dhe e pajustifikueshme kjo që bën drejtuesi i këtij mjeti luksoz, i cili është konstatuar nga Policia Rrugore duke drejtuar automjetin me 236 km/h. në kulmin e trafikut.

Prej mëngjesit të sotëm deri tani janë tërhequr 21 leje drejtimi nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në rrugën nacionale Tiranë – Vlorë gjatë kontrolleve me lëvizje. Mos nxitoni se në rastin më të mirë do përfundoni te Polici dhe radari dhe në destinacion do shkoni pa patentë, e në rastin më të keq aksidenti ju pret apo me keq akoma patenta shkon në shtëpi pa ju.

Drejtues mjetesh, qarkulloni brenda limiteve të lejuara që destinacioni juaj të jetë i sigurt, mos fluturoni se shpejtësia vret jetë”, njofton policia Rrugore./noa.al/