Transmetuar më 04-07-2020, 21:32

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kujdesen vetë për të përballuar situatën nga COVID 19, pasi sipas tij qeveria socialiste e kryeministrit Rama është dorëzuar.

“E rëndë është situata e COVID-it, ndaj, dua t’ju bëj thirrje: Ju lutem, merrni masa maksimale, përmes distancimit, përmes maskave në ambiente të mbyllura dhe përmes higjenës. Qartësisht, qeveria është dorëzuar”, tha nga Pogradeci, kreu i opozitës.

Sipas tij qeveria Rama “nuk ka asnjë plan, asnjë strategji dhe refuzon të bëjë të ditur çfarë masash po merr për këtë valë të dytë, nëse mund ta quajmë kështu, të infeksioneve, e cila është shumë e lartë dhe që ka zhbërë sakrificën tremujore të secilit prej nesh".

"Mos prisni gjë nga qeveria! Merrni masa, mbrohuni dhe të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë dhe sa më të madh në atë drejtim nga i cili do të përfitojnë të gjithë shqiptarët me ekonomi, me punësim dhe me mirëqenie dhe jo vetëm një grusht njerëzish”, tha zoti Basha.