Transmetuar më 06-07-2020, 21:24

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka heshtur kohët e fundit, pas marrëveshjes politike për Reformën Zgjedhore.

Ajo është rikthyer për të folur pikërisht për reformën zgjedhore dhe dakordësimin e marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik, ku tha se kjo ndodhi vetëm falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim.

Kryemadhi tha se Kim  u tregua e fortë dhe iu imponua si mazhorancës dhe opozitës në disa çështje ku u arrit dhe marrëveshja.

"Pati një dakordësi e cila u mundësua,  se përplasja ishte e madhe për depolitizimin e komisioneve dhe funksionimi i KQZ,  nga ndërkombëtarët. Vetë ambasadorja e SHBA, Yuri Kim shkruajti me dorën e saj dakordësimin e firmosur nga të katërt palët", tha Kryemadhi, e ftuar në emisionin "5 pyetje nga Babaramo", në Report Tv. – "Ka qenë mjaft e fortë dhe imponuese për disa çështje si për opozitën dhe mazhorancën, gjë që në një farë mënyrë mund të thuash çfarë është ky qëndrim jo diplomatik, por përfundimi ishte dakordësimi i arritur dhe ecja e vendit përpara", u shpre kreu i LSI, Monika Kryemadhi.

/NOA.al