Transmetuar më 07-07-2020, 08:24

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “Antikat”, është kurorëzuar pas tri javësh hetimesh, duke sekuestruar dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore të Apollonisë.

Bëhet fjalë për veprat të cilat do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

Pas hetimeve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit, u bë finalizimi i operacionit, duke u prangosur tre të dyshuar.

Gjatë tij, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, Altin Veizaj, 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit dhe Alban Vrapi, 37 vjeç dhe Roland Zaimi, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Vrapi, siguronte veprat e artit, duke i vjedhur, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre.

Aktualisht vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al