Transmetuar më 07-07-2020, 18:44

Dyshimet se rezultati i ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë mes Bylisit dhe Tiranës u fiksua për qëllim përfitimi në baste, do të hetohet këtë javë nga Disiplina dhe Etika në FSHF.

Zyra juridike pranë FSHF-së ka bërë gati dosjen voluminoze me pamjet e ndeshjes, lëvizjet e çuditshme të lojtarëve në fushë, raportet e arbitrit, vëzhguesit e të delegatit të takimit.

Për këtë arsye ndryshe nga herë të tjera, për shkak të hetimit që kërkon kohë, Komisioni i Etikës do të mblidhet të enjten për t’u njohur me materialet për ndeshjen e dyshuar si të fiksuar.

Komisioni i Etikës kërkon të njihet brenda dy ditëve me faktet e mbledhura nga FSHF.

Federata ka kontaktuar edhe videoanalizues të huaj për të parë çdo detaj të mundshëm nga sjellja e futbollistëve.

Si procedurë do të thirren për t’u pyetur edhe drejtuesit e ekipeve, kapiteni dhe futbollistë.

Tirana nuk do të hetohet vetëm për ndeshjen me Bylisin por edhe për të tjera ndeshje  përfshi atë me Besëlidhjen, që fitoi për Kupë 5-1, në çerekfinale.

Çështja me kërkesë të FSHF-së ka shkuar edhe në UEFA.

Tirana pret kurorëzimin me titullin kampion, por e humbi 2-1 ndeshjen e parë gjysmëfinale me Bylis, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ndonëse po fitonte 1-0 gjatë pjesës së parë.

Nëse provohen akuzat, Tirana rrezikon përjashtimin nga Kupat e Europës, çka do të përsëriste precedentin e Skënderbeut, dhe do të ishte një goditje e rëndë kjo për bardheblutë.

Disiplina në FSHF mori sot masa për ndeshjet e javës së fundit. Malota i Vllaznisë dënohet me katër ndeshje, kurse Valter Perndrecaj i Adës, pas incidentit me zyrtarin e ndeshjes, u pezullua përgjithmonë nga futbolli.

DISIPLINA/ Vendimet e plota

1.KF Luftëtari, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF. 2.Lojtari i KF Vllaznia, Renato Malota, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. 3.Lojtari i Flamurtari FC, Souza De Oliveira Odaildo, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. 4.FC Lushnja, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF. 5.Lojtari i Vllaznia B, Rigers Sekja, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. 6.KF Ada, për shkak të aktivizimit të një lojtari i cili ishte i pezulluar, në bazë të Nenit 53 të KDS i zbriten 3 pikë nga klasifikimi. 7.Lojtari i KF Ada, Valter Perndrecaj, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Neneve 11/1/e, 11/1/f, 38, 39, 48/1/b dhe 55/1 të KDS përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet futbollistik. 8.Lojtari i KF Delvina, Mario Bilo, për pështymje ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/c të KDS dënohet me 24 (njëzet e katër) muaj pezullim nga aktiviteti futbollistik. 9.Zyrtari i FC Gramozi, Ilir Qirjako, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/2/a të KDS dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. 10.Zyrtari i KF Shkodra U-19, Rudi Piraniqi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/2/a të KDS dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. 11.Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Tirana U-17, Fatjon Muhameti. Faljen e dënimit pasi nga provat filmike të paraqitura në cilësinë e provës së re nuk rezulton fajtor. 12.Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Tirana U-17, Amarildo Karaj. Faljen e dënimit pasi nga provat filmike të paraqitura në cilësinë e provës së re nuk rezulton fajtor. 13.Pranimin e kërkesës së lojtarit të FK Memaliaj, Iljas Bega. Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të Nenit 32/4/5 të KDS lojtari vendoset ne provë për një afat 6 muaj dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.

/NOA.al