Transmetuar më 08-07-2020, 08:59
Parate e sekuestruara

Vihet në pranga një punonjës i policisë së Kavajës, me detyrë, specialist i hetimeve, i akuzuar për korrupsion dhe shantazh.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Durrës, finalizuan  operacionin e koduar  “Golemi”, në funksion të procedimit penal për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.

Pas një hetimi duke aplikuar metoda speciale të hetimit, drejtuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të policisë, Ilir Dizdari.

Ai dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jep detyra dhe funksioni, ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.

Gjatë ushtrimit të detyrës, ai i ka kërkuar një shtetasi një shumë prej 4000 eurosh babait të një të riu, me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij.

I riu kishte kundërshtuar patrullën e policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë.

Me qëllim ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “Kundërshtim i punonjësit të policisë” në “Mosbindje ndaj punonjësit të policisë”, oficeri i policisë kërkonte shumën e sipërmendur prej një periudhe disa mujore në formë kërcënimi, si duke ushtruar presion në ambientin e biznesit të babait të të riut.

Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal, në momentin e shkëmbimit të vlerave monetare të kërkuara, në kushtet e flagrancës, oficerët e Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së arrestuan Nënkomisarin Ilir Dizdari, si dhe sekuestruan si prova materiale vlerën monetare prej 4 mijë eurosh dhe celularin e tij. /a.y/noa.al