Transmetuar më 08-07-2020, 13:06

Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, të dyshuar për një sërë vjedhjesh, ndërsa një tjetër po hetohet për përvetësimin e sendeve të vjedhura.

Efektivët e komisariatit Nr. 6, bënë arrestimin e A. Gj., 20 vjeç dhe O. F., 22 vjeç, të dy banues në Laç.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e E. N., 23 vjeç dhe L. D., 27 vjeç, të dy banues në Laç.

Uniformat blu gjatë patrullimit në zonën e Unazës kanë konstatuar këta shtetas duke bërë lëvizje të dyshimta në zonën përreth. Shërbimet janë afruar për të bërë verifikimet e personave dhe dy nga prej tyre, sapo kanë parë shërbimet e policisë, janë larguar me vrap. Nga veprimet e para hetimore u bë identifikimi i tyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin një sërë vjedhjesh me thyerje në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se të akuzuarit janë dhe autorë të disa vjedhjeve të tjera dhe dëmtimeve të një numri të konsiderueshëm automjetesh dhe biçikletash, konkretisht:

-Më datë 02.07.2020, në rrugën “Grigor Gjirokastriti”, kanë thyer xhamin e mjetit në pronësi të shtetases R. P. dhe kanë vjedhur sende elektroshtëpiake.

-Më datë 02.07.2020, në rrugën “Grigor Gjirokastriti”, kanë thyer xhamin e mjetit në pronësi të shtetasit E. K. dhe kanë vjedhur një palë syze dhe një çantë.

-Më datë 02.07.2020, në rrugën “Grigor Gjirokastriti”, kanë thyer xhamin e mjetit në pronësi të shtetasit O. S.

-Më datë 03.07.2020, në rrugën “Marije Kraja” kanë thyer xhamat e 4 mjeteve.

-Më datë 04.07.2020, në rrugën “Artan Lenja” kanë thyer xhamat e 6 mjeteve.

-Më datë 05.07.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës” kanë thyer xhamat e 9 mjeteve.

-Më datë 07.07.2020, në rrugën “Jusuf Virjoni”, kanë thyer xhamin e mjetit në pronësi të shtetases H. M.

-Më datë 07.07.2020, në rrugën “Perlat Rexhepi”, kanë thyer xhamin e mjetit të shtetasit M. N., ku kanë marrë një palë syze dhe një shumë parash.

-Më datë 07.07.2020, në rrugën “Zef Jubani”, kanë thyer xhamin e mjetit në përdorim nga shtetasi E. R.

Në vijim të veprimeve hetimore është gjetur dhe sekuestruar një biçikletë e vjedhur, të cilën këta shtetas ia kishin shitur shtetasit K. GJ., i cili u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Aktualisht vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jetë të implikuar këta shtetas, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrim i pronës” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave qe rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. /a.y/noa.al