Transmetuar më 08-07-2020, 16:34

Skenar mafioz nga Qeveria dhe drejtësia, e ka quajtur Partia Demokratike lirimin e Agim Kajmakut, ish-kryetar i Bashkisë së Vorës.

Përmes një reagimi në Facebook, numri dy i PD-së, Gazment Bardhi flet për drejtësi të kapur nga Edi Rama.

“Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.

Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg”, shkruan Bardhi.

Ai sjell në vëmendje provat me fakte që PD solli për të, dhe mungesën e reagimit të Kryeministrit për ta shkarkuar nga detyra.

“Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit”, vijon Bardhi.

Sipas tij, “gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti i Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më pare”. /k.k/noa.al/

Arrestimi i Kajmakut në spitalin privat, Apeli i rikthen lirinë, vendos “detyrim paraqitje”