Transmetuar më 09-07-2020, 10:07

Në ceremoninë e përurimit të memorialit të holokaustit, në nderim të hebrenjve të strehuar në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama citoi momente të sakrificave të shqiptarëve.

Duke e cilësuar si një histori mahnitëse për Shqipërinë, ai deklaroi se historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është mahnitëse, por nuk është fillimi i historisë së një marrëdhënie shumë të çuditshme mes shqiptarëve dhe hebrenjve dhe mes popullit hebre dhe Shqipërisë, që daton në shekullin e dytë pas erës sonë, kur për herë të parë hebrenjtë u shfaqën në brigjet e Adriatikut dhe më pas në shekujt XV dhe XVI, kur ata u shfaqën dhe instaluan në pika të ndryshme.

“Dua të them me bindje që Shqipëria me episode, personazhet, momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë, mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollywoodit, që ka prodhuar disa kryevepra lidhur me këtë epokë, por që me siguri do të kishte prodhuar shumë më tepër kryevepra edhe më të pabesueshme, nëse do të ishte referuar ndaj episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se janë realitete nga më të mahnitshmet, që nga udhëtimi me kuaj i një familjeje, e cila për 24 orë transportoi 17 hebrenj, familja Biçaku, në momentet e ndërrimit të pushtuesve menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe preokupimit të nazistëve.

“Apo familja nga Kavaja që sakrifikoi vëllanë për të shpëtuar hebrenjtë. Apo familja e Nuro Hoxhës, një histori tjetër mahnitëse, që i dha strehim katër familjeve hebreje, ku njëra dëshmoi se në momentet e hapjes së derës dëgjoi nga i zoti i shtëpisë fjalë të pabesueshme ‘rrini të qetë, asgjë e keqe nuk do të ndodhë, nga sot jemi një familje dhe unë e i bir do përgjigjemi me jetë për ju’”, tha Rama. /a.y/noa.al

TIRANË – NË PËRURIMIN E MEMORIALIT TË HOLOKAUSTIT

Publiée par Edi Rama sur Jeudi 9 juillet 2020