Transmetuar më 09-07-2020, 11:10

Presidenti Ilir Meta reagon lidhur me zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të mbahen vetëm pas pak ditësh dhe heq paralele me situatën në Shqipëri.

Ai thotë se një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve.

“Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër. Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me defiçitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta”, shkruan kreu i shtetit.

Meta shton se nuk duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian.

Sipas tij, përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë.

Për kreun e shtetit, e para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe.

“Koha për vepra të mira është tani!”, deklaron në mbyllje Presidenti Ilir Meta. /a.y/noa.al