Transmetuar më 09-07-2020, 16:18

Për të ndihmuar ekonominë dhe më konkretisht turizmin, ish-ministri i Shëndetësisë, aktualisht deputet i PS-së, Ilir Beqja, ka dhënë propozimin e radhës, po aq befasues, sa propozimi i tij disa muaj më parë për të përgjysmuar pagat në administratë.

Ai i propozoi qeverisë që gjatë verës, dy ose tre fundjava të vendosë që të lerë pushim administratën, në ditët e premte dhe të hëna, përveç ditëve të shtuna e të diela që dihet se janë ditë pushimi.

Ish-ministri i Shëndetësisë përmes këtij propozimi beson se punonjësit e administratës do të kenë katër ditë pushimi, në javë, të mjaftueshme për të shkuar në plazh, me qëllim për të shpëtuar apo ndihmuar turizmin nga falimentimi. Ai nuk dha asnjë alternativë lidhur me shërbimet që do të mund të kërkojnë qytetarët, të cilët punojnë në sektorë të tjerë, si në bujqësi, fasoneri, apo sipërmarrje të tjera private, gjatë ditëve që ish-ministri propozon pushimin.

Beqaj duket tepër kontradiktor me propozimet e tij, sepse kohë më parë deklaroi uljen e pagave të administratës.

“I kërkoj qeverisë nga sot deri në 14 shtator kur fillon shkolla janë 9 javë, të mund të marrë në konsideratë që në 2 ose 3 fundjava ta bëjë ditë pushim edhe një të premte dhe një të hënë, që njerëzit të kenë mundësi për më shumë alternativa, të mos mbivendosemi të gjithë në gusht dhe te shlodhemi edhe ndihmojmë ekonominë", tha ai duke specifikuar se propozimi synon t’i vijë në ndihmë turizmit.

"Pra nëse mund të shpallim tre fundjava, njerëzit mund të programojnë punët dhe prenotimet” tha Ilir Beqaj, në foltoren e Kuvendit, gjatë seancës së sotme plenare.

Arben Malaj, ish-ministri, socialist e konsideroi sot qeverinë "Rama" të ‘sëmurë dhë të dështuar’, për faktin sepse vendit tonë i rrezikohet çelja e negociatave me BE, por çuditërisht ai pajtohet me propozimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

"Një ide racionale që duhet mbështetur. Paqartësitë dhe pasiguritë por rriten me progresion gjeometrik", theksoi Malaj.

"Risku i rimbylljes sidomos i kryeqyetit dhe disa qyteteve të rëndësishme, mos hapja e kufijve nga vendet e BE bllokon turistët e huaj, do ta bëjnë krizën më të thellë, më të rëndë dhe më të gjatë".

"Një nga politikat kunderciklike është lehtësimi dhe nxitja e turizmit vendas. Zgjatja e ditëve nga turizmi vendas dhe rritja e numrit të turistëve vendas kërkon politika lehtësuese si propozimi i kolegut Beqja".

"Ndoshta mund të ishte më racionale të lejohej fillimi i punës ditën e hënë deri në ora 11.00 dhe mbyllja e punës ditën e premte në ora 14.00, – tha Malaj.

Ish-ministri që aderon tani te Partia Agrare, pra ajo që shihet si më afër bujqësisë, e argumentoi këtë me faktin që pjesë e rritjes së turizmit duhet të jenë të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm punonjesit e administratës publike.

Në fakt, ka një percpetim të gjerë në publik se administrata pushim e ka tërë javën, nuk bën asnjë punë, ose nuk kryen asnjë shërbim ndaj qytetarëve. Ndoshta është kjo arsyeja që i bashkon dy ish-ministrat socialistë, duke propozuar që punonjësit e Administratës të braktisin zyrat dhe të shkojnë në bregdet, për t’i ardhur sadopak në ndihmë bizneseve buzë detit, ku dihet që atje shumë politikanë të djathtë dhe të majtë zotërojë resorte, lokale, bare dhe restorante.

/NOA.al