Transmetuar më 09-07-2020, 17:04

Ministria e Shëndetësisë konfirpo zyrtarisht sot se rezultuan pozitiv për koronavirus 3 rastet të reja në qytetin e  Përmetit.

Mësohet se ata janë djali dhe babai i arkëtares së OSHEE, e konfirmuar për covid-19 tre ditë më parë.

Ndërkohë është konfirmuar pozitiv edhe një tjetër arkëtare punonjëse e OSHEE së këtij qyteti.

Në Elbasan mësohet se është infektuar pavioni ku lindin bebe.

Mes të konfirmuarve pozitiv në këto 24 orë një prej tyre është dhe një e mitur.

Nga 5 rastet e fundit janë 2 infermierë, një mjek pediatër në maternitet dhe vajza e një infermiereje të infektuar më herë në këtë qendër spitalore, e cila ka infektuar dhe vajzën e saj 4-vjeçare.

Ndërsa nëna mësohet se është në muajin e 8 të shtatëzanisë.

Për momentin pavioni ku punonin të infektuarit e maternitetit është mbyllur.

Ndërkaq në Berat janë konfirmuar sërish të infektuar nga radhët e personelit shëndetësor.

Dy prej tyre janë laborante të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor.

Gjithashtu rezultoi pozitive dhe një infermiere e qendrës shëndetësore të Urës Vajgurore.

Ndërsa e infektuara e katërt është një punonjëse masonerie. Covid-19 është shtrirë dhe në një institucion arsimor.

Një pedagoge në universitetin e Gjirokastrës rezultoi po ashtu pozitive ndaj virusit.

Rasti i konfirmuar i pedagoges së Ekonomikut në Universitetin e Gjirokastrës ka detyruar Universitetin të mbyllë Fakultetin, duke e izoluar tërësisht deri në një vërtetim të mjekëve që nuk ka raste të tjera me COVID.

Pedagogia dyshohet se virusin e ka marrë nga studentet e ardhur nga rrethet, pasi pak ditë më parë është mbajtur një provim në këtë fakultet.

Edhe në Shkodër është rënduar situata e të infektuarve të rinj. Vetëm në këto 24 orë janë regjistruar 11 të prekur të rinj.

Të gjithë të afërm të  infektuarve të mëparshëm. Edhe në Kukës e Krujë janë konfirmuar përkatësisht 6 dhe 4 të prekur nga virusi.

Në kryeqytet dy futbollistë të klumbit Partizani rezultuan pozitiv gjatë mbrëmjes së djeshme, duke vënë në rrezik zhvillimin e ndeshjes derbi ndaj Tiranës.

Ditën e sotme u konfirmuan 82 raste të reja në të gjithë vendin me koronavirus gjatë 24 orëve.

Deri më tani në vendin tonë  83 persona kanë humbur betejën me koronavirusin, ndërsa 3188 janë të infektuar.

COVID-19 po përhapet në mënyrë të frikshme tek personeli mjekësor, apo kudo tjetër, gjatë ditëve të fundit./NOA.al