Transmetuar më 09-07-2020, 18:03

Tre deputetë të opozitës parlamentare janë shprehur se do ta votojnë marrëveshjen e arritur për Reformën Zgjedhore.

Deputetët e Ballit Kombëtar Demokrat, me në krye Artur Roshin, deklaruan në një dalje për mediat se kjo marrëveshje i duhet vendit në një moment të tillë.

“Sa i përket prekjes së Kushtetutës, sipas meje, ajo është simbol i unitetit, prandaj ndërhyrja nuk duhet bërë në mënyrë të njëanshme. Nëse vazhdojmë me lojën e kartonëve, kjo nuk na çon askund. Balli Kombëtar Demokrat ka qenë gjithmonë në mbështetje të proceseve demokratike.

Përfundimisht, ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, jo se morëm atë që deshëm, por i duhet vendit. Para integrimit në Evropë nuk mund të zgjedhim interesat tona. Hapja e negociatave është një gradë lirie për shqiptarët.

Ne nuk mund të pranojmë ndërrimin e Kushtetutës me një prag 3 apo 5%. Nuk mund të pranojmë heqjen e koalicioneve. Sa i përket hapjes së listave, është e artikuluar prej meje prej 5-6 vitesh për lista të hapura. I qëndrojmë kësaj, por në pamundësi zgjedhim këtë rrugë”, tha Roshi.

Në të njëjtën linjë me të, deputetja Fatjona Dhimitri tha se marrëveshja e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët nuk mund të mbahet peng në Kuvend. /k.k/noa.al/