Transmetuar më 09-07-2020, 19:21

Astrit Patozi, kreu i partisë "Bindja Demokratike" ka ironizuar vendimin e disa prej deputetëve të Opozitës së re, për të votuar Reformën Zgjedhore.

Patozi thotë se ka qeshur me të madhe dhe kishte një vit që e priste këtë ditë.

"Por puna është se nuk dimë kë të urojmë më parë; "të sharët me libër shtëpie", të cilët u kthyen trimfues tek partitë, që i hodhën në rrugë para një viti, apo këto të fundit, që u rikthyen sot në parlament me bisht ndër shalë përmes tradhëtarëve të djeshëm", u shpreh Astrit Patozi.

Reagimi i plotë i Astrit Patozit:

"Hahaha. E kam pritur me durim këtë ditë, sepse e dija që do të vinte më shumë se një vit përpara. Që kur nisën sulmet e egra mbi ata që po pranonin një e nga një mandatin në listën vijuese të Partisë Demokratike dhe të LSI-së".

"Madje edhe i kam paralajmëruar atëherë sharësit me pagesë ose jo, që të mos nxitoheshin duke i fyer dhe degjeneruar deputetët e rinj, se në dorën e tyre do të përfundonin shumë shpejt".

Por nuk e kisha menduar kurrë se "pendesa" do të ishte kaq e thellë dhe kaq qesharake.

Dhe ja ku jemi sot. Ata nuk janë më dallkaukë, sharlatanë, njerëz që nuk përfaqësojnë asgjë, injorantë, të paqenë, të pabesë, tradhëtarë, gafaxhinj, të shitur, e plot epitete të tjera poshtëruese si këto.

Madje, ata nuk janë as ilegjitimë, siç deklaronte solemnisht, jo vetëm Ilir Meta, që njihte vetëm 82 deputetë të parlamentit shqiptar, sepse të tjerët nuk i quante. Por paskan qenë vërtetë burra dhe gra të nderuara, që nuk i paskemi njohur më parë, se ashtu ishte një punë.

Dhe ja tani ata u shfaqën para nesh madhështorë. Sot kuptuam dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe integrimin europian, e cila nuk mund të ketë asnjë mënyrë tjetër për t’u shprehur, përveçse të jesh dakord dhe të votosh në parlament marrëveshjen e Damianin me Oerdin, për të mos e trazuar fekalen politike, por për ta lënë siç ishte. Dhe ata pikërisht këtë bënë sot, në këtë ditë historike, ndaj edhe e meritojnë respektin dhe admirimin e gjithë popullit.

Por puna është se nuk dimë kë të urojmë më parë; "të sharët me libër shtëpie", të cilët u kthyen trimfues tek partitë, që i hodhën në rrugë para një viti, apo këto të fundit, që u rikthyen sot në parlament me bisht ndër shalë përmes tradhëtarëve të djeshëm.

/NOA.al