“Të mbron deri në 70% nga virusi”-  zv/ministrja e Shëndetësisë paralajmëron maskat me detyrim: Në Itali vlera e gjobës 400 euro
Transmetuar më 09-07-2020, 20:57

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, deklaroi se vendosja e maskave nga qytetarët shqiptarë në ambiente të mbyllura tashmë është e detyrueshme në të gjitha protokollet.

Rakacolli tha se nëse një biznes gjendet pa maska pas inspektimeve, atëherë ai do të jetë objekt penaliteti.

Sër sa i përket vendosjes së maskave me detyrim ligjor, zv. ministrja zbuloi se diçka e tillë po diskutohet në  Komunitetin e Ekspertëve, pasi edhe disa vende në Evropë e kanë vendosur një masë të tillë ligjore.

Mira Rakacolli dha një intervistë për "Tv Klan" ku edhe sqaroi vendimin e fundit të Komitetit Teknik.

Duket sikur ditët e fundit është folur shumë për maskën, që të jetë e detyrueshme me ligj. Pse ka ndodhur kjo dhe ju si mendoni, jeni për vendosje të maskës me detyrim ligjor?

Keni shumë të drejtë në të gjithë këtë koment që bëtë, sepse qëndrimi karshi maskës ka qenë qëndrim i diskutueshëm, ose besoj se të gjithë e kanë ndjekur edhe nga specialistë të ndryshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ju e dini që herë pas here që nga fillimi i epidemisë qëndrimet karshi maskës kanë qenë të ndryshueshme, ashtu siç ju i përshkruat.

Në fakt virusi i cili e shkakton sëmundjen e Covid-19 është një virus i ri, është një virus i panjohur dhe kur bëhet fjalë për viruse të rinj edhe të panjohur qoftë në strukturë qoftë në mënyrën se si transmetohet, qoftë në mënyrën se si ato zhvillojnë rrugën e tyre për shkaktimin e sëmundjes është e pranueshme që të ketë edhe qëndrime kontradiktore. Por çdo ditë ne mësojmë më tepër, çdo ditë bëhet më e qartë se çfarë po ndodh, çdo ditë bëhen më të qarta ato njohuritë për virusin dhe për mënyrën e transmetimit, kështu që edhe qëndrimet qartësohen.

Për shkak të mënyrës së transmetimit të virusit dhe ju e dini që është shumë i rëndësishëm rruga ajrore e transmetimit të këtij virusi, tashmë nuk ka më dyshim që maska luan një rol shumë të madh mbrojtës. Në këtë muaj janë bërë edhe studime dhe është vënë re që maska mbron mbi 70% dhe jo vetëm maska kirurgjikale, ose maska mjekësore. Nuk po them për atë maskën e thjeshtë kirurgjikale, pa thënë për ato maskat që janë në një nivel më të lartë mbrojtës, por edhe një barrierë.

Ju do të ishit për një vendosje të maskës në mënyrë të detyrueshme?

Në momentin që u hapën bizneset, në momentin që u rihap aktiviteti dhe nëpër zyra dhe nëpër institucione, u vendosën protokolle. Në të gjitha protokollet po të lexoni, maska është e detyrueshme dhe besoj se të gjithë e provuam se kur u hapën në fillim, nëpër supermarkete nuk të lejonin të hyje pa vendosur maskën, nuk të linin të hyje pa të matur temperaturën dhe po në ato dyqanet e vogla ndodhte po e njëjta gjë, sot ka filluar një çik sikur ka ndryshuar kjo pjesa, pra maska në njëfarë mase është e detyrueshme nëpër protokolle. Edhe nëse vijnë inspektime dhe nuk të gjejnë me ato, ajo është objekt penaliteti. Praktikisht ajo është.

Në rrugë vendosja e maskave në mënyrë të detyrueshme në momentin që ruan distancë, ose je me një person që t’i je i afërt gjithë ditën, kështu që maska nuk është se bën ndonjë punë, nuk ka pse të jetë. Është një problem që ne në Komunitetin e Ekspertëve e diskutojmë, do ketë një vendim të shpejtë nëse do të vendoset ashtu siç e thatë ju në lidhje me qëndrime juridike në ata që nuk do t’a përdorin maskën.

Po diskutohet diçka e tillë, apo jo?

Patjetër, ka vende edhe në Europë të cilat e kanë vënë  në mënyrë të detyrueshme dhe kanë vënë edhe vlera të larta gjobash. Për shembull në Itali vlera e gjobës është 400 euro.

Nëse ti je duke ecur në rrugë pa maskë?

Jo, nëse ti nuk e mban maskën aty ku duhet të mbahet maska.

Në ambiente të mbyllura.

Po në ambiente të mbyllura duhet të mbajtur patjetër, por gjithsesi dua të theksoj, nuk është se të mbron vetëm maska. Duhet edhe maska, duhet edhe të ruhet distanca fizike. Pra janë që të dyja të domosdoshme. Nëse vendos maskën dhe pastaj shkon në autobus dhe rri ngjitur me dikë tjetër, nuk është se maska të ka mbrojtur 100%. Meqenëse më pyetët për qëndrim personal unë në një ambient të mbyllur do ta vendosja patjetër maskën, por edhe do të ruaja edhe distancën fizike. Nuk do t’i besoja vetëm as njërës as tjetrës.

/NOA.al

Loading...