Transmetuar më 10-07-2020, 08:43
Elmaz Sherifi

Ministrat e Qametit janë dehur aq shumë nga luksi dhe përftimet korruptive, sa shqiptarët i konsiderojnë budallenj, si janë vetë. Miliardat e eurove u duken si mijëra euro…

Nga Elmaz Sherifi

Shqiptarët kanë parë e dëgjuar, deri në bezdi, ligjërimet e deputetëve dhe ministrave në foltoren e Kuvendit të Sajuar.

Deputetëve Listarë u ka hyrë vetja në qejf, dhe janë të bindur, që, me “kryengritjen në gjunjë”, do ta ndryshojnë Kushtetutën. Dhe kanë edhe një ide gjeniale. Kuvendi i Shqipërisë sipas tyre duhet të rritet, nga 140, në 150 deputetë. Pra, duhet të shtohen deputetët e sojit të tyre, që shqiptarët të paguajnë edhe më shumë taksa, për mbajtjen e deputetëve të Qametit.

Ndërsa ministrat e Qametit ndjekin stilin e modelit të idhullit të tyre, që ka aftësi të “zbulojë talente” !

Talentin e Qametit shqiptarët e panë dhe dëgjuan dje te Kuvendi i Sajuar.

Ministrat e Qametit janë dehur aq shumë nga luksi dhe përftimet korruptive, sa shqiptarët i konsiderojnë budallenj, si janë vetë. Miliardat e eurove u duken si mijëra euro. E dëgjuat ministren e Qametit? Autostrada e Kaltër nuk do të ndërtohet me buxhetin e shtetit, por është dhuratë e privatit? Të gjithë ministrat e Qametit këtë mendim kanë për PPP! Edhe për Teatrin Kombëtar, që u shkatërrua, shpallet tenderi, dhe thuhet se nuk do paguhet nga Buxheti i Shtetit, por nga Buxheti i Bashkisë!

O temporas o mores. Po kaq debilë i konsiderojnë shqiptarët këta “kjametarë”.

Tani faktet janë të panumërueshme me bëma e gjëma. Sistemi politik është deformuar thellësisht në Shqipëri, sepse nuk ka demokraci te partitë politike. Partitë kanë kultivuar autokracinë, injorancën dhe fudullëkun, prandaj kemi parlamentin më të shëmtuar e më qesharak në historinë politike institucionale, qeverinë e Qametit më të akuzuar dhe drejtësinë e korruptuar.

Partitë janë shndërruar në “ndërmarrje private”, ku “grupet e interesit” ofrojnë miliona euro për t’u bërë, deputet e kryetar bashkie, ata që vijnë nga bota e krimit. Sa deputetët e kryetar bashkie kanë ikur me turp nga funksionet, dhe mbrohen me vendosmëri nga kryetari i partisë dhe zëdhënësit partiak?

Besoj se shembujt janë të pafund.

Që të kemi një qeverisje të mirë, duhen demokratizuar partite politike, duke i pastruar nga njerëzit me dosje dhe të inkriminuarit.

Kur Departamenti Amerikan i Shtetit foli ne 2008 për State Capture, bëra shkrimin, se ka edhe party capture. Pa çliruar partitë nga spiunët dhe të përdorshmit, nuk mund të këtë shtet me institucione demokratike, dhe në skenën politike do të shtohen deputetët dhe ministrat e Qametit!