Kryetari i Partisë Demokratike nuk e ka pritur mirë vendimin e Kryeministrit Edi Rama për të pranuar listat e hapura në zgjedhje.
Në komunikim me gazetarët, Lulzim Basha tha se Rama prishi marrëveshjen e 5 qershorit, e ndërmjetësuar edhe nga faktori ndërkombëtar.
Sipas liderit demokrat, ky vendim i Kryeministrit, për të pranuar ndryshimet kushtetuese, ka për qëllim zhbërjen e koalicioneve parazgjedhore.
“Ka kohë që manifestohet në gjuhën e tij, veprimet, por sot ka arritur një majë papërgjegjshmërie që nuk e ka pasur as Ramiz Alia në ditët e tij të fundit.
Sot Rama ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit. U investuan forcat politike me dakordsinë e 14 janarit dhe me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe. Në këtë marrëveshje në qendër ishte miratimi me konsensus i reformës që do t’i hapte rrugë procesit zgjedhor dhe do të plotësonte një kusht për hapjen e negociatave.
Kjo nuk ishte marrëveshja që ne dëshironim, por ishte minimumi në kushtet e panikut, frikës që e shtynë Ramën të diktonte në tavolinë depolitizimin e administratës”, tha Basha.
Ky i fundit tha se është i hapur të diskutojë për ndryshimin e sistemit, por jo pak kohë përpara zgjedhjeve.
Ndërkohë, sugjeron që kjo çështje të kalojë në referendum, dhe të vendosë populli me votë. /k.k/noa.al/