Transmetuar më 10-07-2020, 16:14

Politika në Shqipëri zien nga debatet për Reformën Zgjedhore, marrëveshja për të cilën duket se ka marrë një kthesë 180 gradë.

Ajo që opozita jashtë Parlamentit i druhej ndodhi, me Kryeministrin Rama që i çeli rrugë listave të hapura në zgjedhje.

Dhe në mesin e këtij debati, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheley, në një postim në Twitter shkroi se KE nuk mbështet asnjë nismë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Komisioneri Për Zgjerimin kërkoi miratimin nga Parlamenti të Marrëveshjes së 5 Qershorit, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Reforma elektorale në Shqipëri: Është e rëndësishme që reforma e dakordësuar më 5 qershor të adoptohet nga Parlamenti SA MË SHPEJT në sesionin aktual, me qëllim që të mundësojë zbatimin e ndryshimeve të reja përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR, adreson një nga rekomandimet kyçe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.  Reforma të tjera që lidhen me sistemin zgjedhor, jashtë rekomandimeve të OSBE/ODIHR duhet të miratohen jo më pak se një vit para zgjedhjeve dhe për to nevoijten konsultimet e duhura, siç rekomandon OSBE”, ka shkruar zyrtari i BE-së.

I hapur për të diskutuar ndryshimin e sistemit u shpreh edhe Lulzim Basha, por me referendum nga populli. /k.k/noa.al/