Transmetuar më 10-07-2020, 18:09

Në shtëpinë e të mbijetuarës, në Kombinat, është gjetur një recetë dhe një fletë mjekimi, lëshuar nga mjeku psikiatër Sadik Lala.

Fakti që është gjetur një recetë provon se ajo dhe ndoshta pjesëtarët  e tjerë të familjes Josifi vuanin nga çregullime mendore, çka besohet se mund të jetë arsyeja kryesore e vetëflijimit të nënë e bijë, përveç  doktrinave fetare, të cilat dihet se i ndjekin me qindra  e mijëra njerëz.

Mjeku që ka lëshuar recetën, ka folur për Top Channel, dhe pranon se njëra nga vajzat e familjes Josifi ka qenë paciente e tij.

“Është e vërtetë që Blerta ka qenë pacientja ime.  Ajo ka vuajtur nga çrregullimi depresiv, i cili ka kaluar në çrregullim depresiv psikotik më pas.  Ka filluar si çrregullim ankthi i mirëfilltë. Ka qenë shumë hermetike për shumë gjëra, që kanë ndodhur në të shkuarën", tha mjeku.

Psikozë kemi,- shtoi ai "kur personi humbet aftësinë për të gjykuar realisht. Personi humbet fillin e gjërave.  Vizitën e parë e ka bërë në 11 mars 2015.  Ka kryer gjithsej 4 vizita në klinikën time.  Erdhi e shoqëruar nga e motra.  Në shtator-tetor u përmirësua ndjeshëm dhe e lamë të vinte në janar, të 2016-tës. Nga mua u largua në një gjendje të qetë, ushqehej mirë, nuk përdorte më qetësues".

Mjeku psikiatër tregoi se e mbijetuara vuante nga çrregullime mendore, të paktën prej 7 vitesh, ndërsa nga mosngrënia pesha e saj kishte zbritur në 45 kg pak vite më parë.

"E mbaj mend mirë, pasi ishte shumë nën peshë, nga mosngrënia siç duket.  45 kilogramë ka qenë pesha e saj. Në anamnezë më rezulton, që Blerta kishte përdorur qetësues për 2 vjet, pra nga 2013-ta” tha mjeku psikiatër Sadik Lala.

Ai shpjegoi edhe rrezikun që iu kanosej vajzave.

"Rreziku i antidepresantëve është në ditët e para, 2-3 javët e para, sepse mund të kenë efekte anësore të çfarëdoshme, qoftë edhe mendime për vetëvrasje", theksoi mjeku.

I pyetur nëse depresioni mund të shërohet, mjeku tha, "sigurisht që po".

"Një pjesë shumë e madhe e depresionit shërohet. Një pjesë mbahet nën kontroll më mjekime", mbylli reagimin e tij mjeku psikiatër Sadik Lala.

/NOA.al