Transmetuar më 10-07-2020, 19:59

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes një reagimi, ka ndarë të njëjtat shqetësime me përfaqësuesen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, duke vënë theksin në rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave.

Sipas kreut të shtetit, "Shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur nga pandemia COVID-19, veçanërisht numrit të viktimave, shtron si domosdoshmëri jetike rritjen e masave mbrojtëse, frymës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik".

"Tepër i nevojshëm, – nënvizoi më tej në mesazhin e tij Presidenti, – është bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të pandemisë, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë".

"Përballimi me sukses i COVID-19 duhet të jetë një objektiv madhor për të gjithë! Çdo neglizhencë në këtë prioritet ka kosto shumë të rëndë: jetën e qytetarëve tanë", – tha në reagimin e tij, mbi situatën Covid 19 në vendin tonë, Presidenti Ilir Meta.