Transmetuar më 10-07-2020, 20:46

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i është përgjigjur sërish kreut të opozitës Lulzim Basha.

Rama u shpreh sot se PS-ja është pro hapjes së listave, vendim ky që bie ndesh me marrëveshjen e Reformës Zgjedhore, arritur më 5 qershor mes maxhorancës dhe opozitës jashtë Kuvendit.

Kreu demokrat, Lulzim Basha, iu përgjigj duke i kujtuar se i është bërë një ofertë nga Rama që ai të bëhej President, me qëllim që të dorëzonte qeverinë kryeopozitarit pas zgjedhjeve.

Basha  e zbuloi sot marrëveshjen e fshehtë që i ishte propozuar pak muaj më parë.

Në një intervistë në Top Channel, Rama është pyetur sërish për këtë marrëveshje të fshehtë dhe tha se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Kreu i Qeverisë u shpreh se ai nuk e shikon politikën në këtë formë dhe i ka bërë thirrje Bashës që të jetë në krah të popullit dhe jo kundër tij.

“Ndihem shumë i keqardhur që politika bie në nivele të tilla. Epara se nuk e shoh kështu politkën, e dyta unë nuk e kam bërë krurë një gjë të tillë dhe e treta besoj se populli është me i zgjuar se unë dhe i duhet lënë popullit të zgjedh kryeministrin e radhës. Unë ndihem i keqardhur dhe i bëj thirrje Bashës që të jetë në krah të popullit", u shpreh Rama.

Më tej, lidhur me propozimin e PS-së, për hapjen e listave, Rama dha këtë argument.

"Për listat, ku ishin të mbyllura thoshte se sjellin kriminelë në Kuvend dhe tani që hapen thonë sërish se sjellin kriminel në Kuvend”, u shpreh Rama.

Më herët në një konferencë për mediat kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh sot se Edi Rama për tre muaj rresht mars-prill-maj i kishte dërguar ndërmjetës për një marrëveshje që ai e quan pazar të pistë. Basha tha se Rama i kishte thënë se pakti do të ishte “ti Kryeministër, e unë President”.

Sakaq, Rama doli sot në drekë dhe veç propozimit për hapjen e listave, tha se të gjitha palët duhet të tërhqien nga kërkesat e tyre, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e opozitës parlamentare.

Kryeministri shpalosi edhe objektivat, duke theksuar se ai punon që të fitojë PS-ja dhe jo ndonjë parti tjetër, por shtoi se me lëshimet e fundit kërkon të shpëtojë opozitën dhe kreun e saj nga ‘vetëvrasja’.

Rama në fakt i përmendi sot disa herë sot "pazeret" e mundshme që qarkullojnë në ambjentin politik, por tha se nuk ka arsye të bëj një të tillë, duke qenë se PS-ja është partia më e madhe në vend. Kryeministri argumentoi se me këto lëshime thjesht ka privilegjin që t’i vijë në ndihmë opozitës, si asaj që është brenda Kuvendit, ashtu edhe asaj që është jashtë parlamentit, për të realizuar një proces zgjedhor sa më normal.

Kryeministri përjashtoi edhe mundësinë e zgjedhjeve lokale të parakohshme, me përjashtim të atyre zonave ku ka kryebashkiakë në detyrë.

Rama tha se marrëveshjen kryesore e ka me veten, familjen dhe popullin, ndaj edhe u bëri thirrje rivalëve të ndjekin modelin e tij, për ta konkuruar në zgjedhje.

/NOA.al