Transmetuar më 10-07-2020, 23:41

E ndjera është dërguar fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe më pas mjekët e kanë rekomanduar për shtrim në QSUT. Pas 9 ditësh e shtruar, Shpresa Seferaj është konfirmuar pozitive me koronavirus dhe është dërguar në Reanimacion.

Arjan Seferaj është djali i një 61 vjeçareje, e cila pak ditë pasi u shtrua në QSUT u infektua me koronavirus dhe humbi jetën.

Djali kërkon të dijë se ku u infektua nëna e tij, ndërsa shton se gjatë të gjithë kësaj kohe askush nuk e ka telefonuar për të bërë tamponin.

“Nënën time e morën nga dhoma dhe e dërguan në Reanimacionin qëndror dhe më thanë se kishte Covid-19”, shprehet ai. Për rreth 16 ditë nëna e djalit qëndroi e shtruar në QSUT, ndërkohë që gjatë kësaj kohe ka pasur kontakte të vazhdueshem me të ndjerën.

Përpara se të shtrohej në reanimacion, mjekët u kanë komunikuar familjarëve të 61 vjeçares se ajo ishte e prekur me koronavirus, ndërkohë Arjani ngre pyetjen enigmë se ku u infektua e ëma.

“Si ka mundësi nëna ime të dalë me Covid, ku e ka marrë?”

“Te Nënë Tereza, ditën e dytë më thërret doktori dhe më thotë është me leuçemi akute.”

Pasi 61-vjeçarja, Shpresa Seferaj, rezultoi e prekur me koronavirus, i biri i saj thotë se askush nuk i ka telefonuar për të bërë tampon apo ti apelonte për të qëndruar në shtëpi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë i vetmi spital që trajton të prekurit me koronavirus është spitali Infektiv, por sipas pretendimit të familjarëve të Shpresa Seferaj, ajo nuk ka qenë asnjë ditë e shtruar në këto ambiente.

“Nëse nëna ime paska qenë si ka mundësi nuk e kanë çuar në Infektiv?” Në certifikatën e vdekjes së 61 vjeçares thuhet se ajo ka humbur jetë si pasojë e arrestit kardio-respirator, ndërsa në skedën e vdekjes thuhet se shkaku i ndërmjetëm ose komplikacioni ka qenë koronavirusi.

I riu gjithashtu thotë se nëna e tij nuk u shtrua asnjë ditë në spitalin Infektiv, teksa gjatë muajit qershor, koronavirusi u përhap në masë në spitale dhe qendra shëndetësore.

Arjan Seferaj tregoi për Ora News rastin e të ëmës së tij, të cilën e dërgoi në spital për tu kuruar nga leuçemia, por fatkeqësisht u infektuan me koronavirus.

/NOA.al