Transmetuar më 11-07-2020, 06:40

Ambasada Gjermane në Shqipëri ka paralajmëruar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Shqipëri këtë verë për shkak të situatës me koronavirusin në vendin tonë.

Paralajmërimi i autoriteteve gjermane shihet si një parapritje e vendimit të ardhshëm të BE për lejimin ose jo nga 15 korriku të rihapjes së kufijve me Shqipërinë.

“Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri, ju lutemi që të merrni në konsideratë sa vijon: Ministria e Jashtme Federale vazhdon të paralajmërojë mbi të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme (përfshirë arsye pushimi, pushime në vendlindje, vizita familjare etj.) për në Shqipëri.

Kjo vlen deri më 31 gusht 2020. Shqipëria kategorizohet aktualisht nga institucionet kompetente shëndetësore gjermane si rajon me rrezikshmëri për shkak të situatës epidemiologjike të Covid-19.

Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19”, lexohet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.

Më tej ambasada sqaron për shtetasit gjermanë se çfarë ndodh nëse udhëtojnë dhe kthehen nga Shqipëria në vendin e tyre. “Në rast kthimi, karantinë 14-ditore: Nëse jeni duke udhëtuar nga Shqipëria për në Gjermani – me rrugë ajrore apo tokësore me autobus ose automjete private – jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroni institucionin kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetëizolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh”.