Transmetuar më 11-07-2020, 09:15
Parate e sekuestruara

Lihet i lirë pak ditë pas arrestimit, efektivi i policisë së Kavajës, Ilir Dizdari, i akuzuar për korrupsion.

Vendimi për të është marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Efektivi i policisë u arrestua më 8 korrik i akuzuar se ka keqpërdorur atributet që i jep detyra dhe funksioni, duke konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.

Gjatë ushtrimit të detyrës, Dizdari i ka kërkuar një shumë prej 4000 eurosh babait të një të riu, me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij.

I riu kishte kundërshtuar patrullën e policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë.

Me qëllim ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “Kundërshtim i punonjësit të policisë” në “Mosbindje ndaj punonjësit të policisë”, oficeri i policisë kërkonte shumën e sipërmendur prej një periudhe disa mujore në formë kërcënimi, si duke ushtruar presion në ambientin e biznesit të babait të të riut.

Kapja e tij u bë në kushtet e flagrancës, ndërsa shuma e parave prej 4 mijë eurosh të cilat i shikoni në fotografi, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. /a.y/noa.al

Shantazh babait në biznes për ti mos i arrestuar djalin, pranga policit që mori 4 mijë euro