Transmetuar më 11-07-2020, 09:28
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “Periferia” ka zbuluar 12 vjedhje të ndodhura në muajt e fundit, duke vënë në pranga dy persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, u bë arrestimi i D. S., 18 vjeç dhe H. Q., 20 vjeç, banues në Manzë, Durrës, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. N., 19 vjeç, banues në Rrushkull, Durrës.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se tre të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një periudhë tre mujore kanë kryer 12 vjedhje në banesa, në fshatrat  Shkafanë, Rrotull, Armathë, Radë, Kuçok, Hamall, Kërtushaj, Rrushkull, ku kanë marrë orendi shtëpiake, vlera monetare dhe vegla pune.

Aktualisht ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprën penale “Vjedhja”. /a.y/noa.al