Transmetuar më 11-07-2020, 12:27

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari, në një konferencë për mediat ditën e sotme akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se gënjeu lidhur me listat e hapura.

Duke publikuar një video nga një deklaratë e Bashës në vitin 2017, ku kreu i PD thoshte se kjo do të ishte hera e fundit që listat ishin të mbyllur, deklaroi se dje ai doli hapur.

“Që në 2017 kur PD hapi fushën elektorale premtoi lista të hapura dhe se lista do të zgjidhej nga qytetarët dhe jo më kryetari i partisë. Një zotim që unë e kam marrë seriozisht dhe se kjo do të jetë beteja që unë kam vendosur për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme. Pra siç e shikoni ky ishte një premtim që nuk u mbaj dhe në fakt në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun. Nuk e di nëse e kam këtë prej origjinës apo i ka ardhur koha që të mbahen premtimet ndaj qytetareve. Dua ti them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë”, u shpreh deputetja opozitare.

Ajo akuzoi Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, se po bëjnë Pazar për interesa të ngushta.

Sipas saj, qysh prej vitit 2019 që objekti i reformës zgjedhore u ndryshua me këmbëngulje të madhe që ne të futnim ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave.

“Më pas u pasua me iniciativën qytetare për hapjen e listave. Ironia këtu është që PD, LSI edhe pse  braktisën mandatet i përdorën qytetarët për të imponuar një agjende që nuk kishin asnjë rol në parlament. Pra ata braktisën vullnetin e qytetarëve dhe i përdoren njerëzit për të bërë pazar. Nëse PD dhe LSI kërkojnë sërish të imponohen duke thënë se ata do kenë monopolin e opozitës kjo për mua shkon në një shterpë sepse janë në interesa të ngushta familjare. Unë nuk jam në parlament për të mbështetur interesa familjare, por për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. Unë nuk jam nga ata njerëz që mendojnë se listat e hapura do fusin në parlament kriminelë”, deklaroi Hajdari.

Më tej shprehu keqardhje që Lulzim Basha, nuk arriti dot që të kishte lartësinë e duhur për të mbështetur iniciativën për listat e hapura. /a.y/noa.al

Komunikim me mediat lidhur me zhvillimet për reformën zgjedhore.

Publiée par Rudina Hajdari sur Samedi 11 juillet 2020