Transmetuar më 12-07-2020, 12:30

Dasmat lejohen në vendin tonë, por ato duhet të organizohen përmes disa rregullave strikte.

Duke qenë se në dasma grumbullohen shumë njerëz, për shkak të periudhës së vështirë të koronavirusit, autoritetet kanë rekomanduar organizatorët që të respektojnë rregullat anti-Covid.

Por nuk ndodh që masat të respektohen.

Në një dasëm, që është organizuar gjatë mbrëmjes së djeshme në Durrës, të ftuarit nuk kanë respektuar distancën fizike, madje nuk kanë qenë të pajisur as me maska.

Pas kontrollit është gjobitur pronari i lokalit. Bëhet  fjalë për shtetasin E. K., 39 vjeç, banues në Sukth, për të cilin u konstatua nga shërbimet e Policisë se në lokalin në pronësi të tij kishte organizuar dasmë, duke mos respektuar distancimin fizik ndërmjet personave, si dhe kishte prishur rendin dhe qetësinë publike me zhurmat e krijuara nga volumi i lartë i muzikës.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet që përdoreshin për të bërë muzikë në ambientin e këtij lokali. Ndërsa ISHSH-ja vendosi masë administrative 1.000.000 lekë, për këtë subjekt.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi K. B., 24 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, pasi në lagjen nr. 13, Shkëmbi i Kavajës, ka vendosur mbi rërë, tokë publike, një konstrukt metalik, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Për pasojë, shtetasi me iniciale E.K, 39 vjeç, i cili organizoi dasmën në lokalin e tij, është gjobitur nga policia dhe po hetohet në gjendje të lirë.

(Foto ilustruese)

/NOA.al