Transmetuar më 17-07-2020, 16:07

Qeveria shqiptare ka vendosur të mos ndryshojë strategjinë e deritanishme për numrin e testimeve edhe pse sot njoftoi hapjen e një laboratori të dytë për bërjen e tamponëve.

“Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e SARS COV2 do të kryhen edhe në QSUT”, tha sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pasi inspektoi laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku deklaroi se po forcohen kapacitetet për kryerjen e testeve Real Time PCR.

Manastirliu tha se edhe me hapjen e këtij laboratori të dytë, testimi "do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre", duke qartësuar se nuk do të ketë testime masive.

Duke folur për kapacitetet e testimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se laboratori ekzistues në ISHP përballon deri 1 mijë tamponë në ditë por vetëm një e treta e këtij kapaciteti shfrytëzohet.

Ministrja tha se synohet cilësi në këtë proces. “Aktualisht në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, që është një laborator reference, kapacitetet e testimit janë nga 500-1 mijë testime ditore dhe me hapjen e këtij laboratori për pacientët e spitaleve COVID, vijojmë rrisim kapacitetet, por rëndësi ka cilësia e testimit, ndaj dhe ky laborator është i biosigurisë 2, i çertifikuar nga OBSH” – tha Manastirliu.

Megjithatë Laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT do të bëjë testime serologjike për stafet mjekësore, pas Tiranës, edhe për stafet në spitalet rajonale. Aktualisht përqindja e pozitivitetit ështët rreth 5.5%.