Opozita e Bashkuar shpërfill Ramën: Kryetarët e PD-LSI nuk marrin pjesë në takim
Transmetuar më 17-07-2020, 19:22

Opozita e bashkuar ka kthyer përgjigje sonte duke shpërfillur propozimin e Edi Ramës që liderët e saj të marrin pjesë në një takim me të për ndryshime kushtetuese të pakërkuara nga PD dhe LSI.

“Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshëm zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi”, lexohet në letrën e Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit.

Njëkohësisht opozita paralajmëron qeverinë socialiste se përfaqësuesit e saj nuk do të marrin pjesë në takim nëse nuk konfirmohet dokumenti i 5 qershorit.

“Në emër të opozitës, mirëpresim reflektimin tuaj për të vijuar diskutimin dhe vendimmarrjen konsensuale në Këshillin Politik për çdo çështje lidhur me zgjedhjet, siç kemi rënë dakord me shkrim në Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe Dakordësinë e 5 Qershorit. Paraprakisht ju konfirmojmë se dokumenti i depozituar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në Tryezën e Këshillit Politik duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty.

Për çdo çështje tjetër, ne jemi të gatshëm, në orën e caktuar nga ana juaj, si të hënë ashtu edhe të martën, pa patur një preferencë për këtë. Presim konfirmimin tuaj për ditën që ju preferoni, duke shprehur gatishmërinë tonë për pjesëmarrjen në atë mbledhje”, sqarohet në letër. /noa.al/

Loading...