Transmetuar më 18-07-2020, 08:48

Edhe pse në kohë pandemie, madje dita sot ka nisur me reshje shiu, e shtuna i gjeti sërish qytetarët e shumtë të Kosovës, rrugës për në Shqipëri.

As pandemia dhe as shiu nuk i ka ndalur ata as këtë fundjavë, për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Pavarësisht pandemisë dhe shiut, mëngjesi i sotëm shënoi një tjetër rekord sa u përket mjeteve që hyjnë në Shqipëri përmes Morinës.

Pamjet flasin vetë, teksa radha e hyrjes është aq e madhe sa në radhë janë vënë që prej mëngjesit me qindra makina. Asnjëherë nuk është kuptuar ekzistenca e atij kufiri.

Vetëm në dy orë, në Morinë kanë hyrë me shumë se 15 mijë qytetarë.

Policia kufitare, e cila punoi me kapacitet të plotë të sporteleve, vijoi procedurën e përshpejtuar të kalimeve, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve.

Por pavarësisht situatës me Covid-19, a premton moti, këtë fundjavë, për pushime në bregdet?

Në vendin tonë moti sot do të jetë i alternuar nga kthjellime dhe vranësira të cilat do sjellin mot të kthjellët por që nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara, kryesisht në zonat veriore dhe verilindore.

Vranësirat gjatë ditës së nersërme pritet të shtrihen edhe në zonat e ulëta duke sjellur reshje të izoluara edhe në këto zona.

Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, ku do të variojnë: në zonat malore, nga 12ºC në 29ºC, në zonat e ulëta nga 18ºC në 33ºC dhe në zonat bregdetare nga 20°C në 34ºC.

Era do të fryejë në drejtim Veripërëndimor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 4-5 ballë.

/NOA.al