Pronari i një kioske humb jetën në Greqi pasi u qëllua nga emigranti shqiptar
Transmetuar më 20-07-2020, 19:25

Një burrë në moshë të thyer humbi jetën në Lamia të Greqisë, 22 ditë pasi u plagos me thikë nga një i ri shqiptar.

Burri 66 vjeçar ndërroi jetë të dielën 19 korrik në Reanimacionin e spitalit të Lamias pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra. Viktima kishte marrë plagë thike në fyt dhe kurriz.

Për ngjarjen e ndodhur më 27 qershor në Atalanti të Lamias, policia lokale arrestoi disa ditë më pas një 31 vjeçar nga Shqipëria i cili prej kohesh është emigrant në vendin fqinjë.

I ndjeri 66 vjeçar ishte pronar i një kioske. Sipas hetimit, i riu shqiptar e plagosi fatalisht gjatë një vjedhjeje të dhunshme.

Emigranti e pranoi krimin dhe tha se ndjehej i penduar. Ai dorëzoi dhe armën e ftohtë, një thikë me të cilën punonte në thertore.

I dyshuari i tha policisë se ishte i duhur kur ndodhi ngjarja dhe viktima ishte aty në momentin e gabuar. Aktualisht 31 vjeçari që shihet në fotogaleri, gjendet në burgun e sigurisë së lartë Koridalo në Athinë. /noa.al/