Flasin qytetarët: Nuk kemi 1 mijë lekë të blejmë maskë e jo më 20 mijë për të paguar gjobën
Transmetuar më 20-07-2020, 21:36

Qeveria shqiptare njoftoi para pak ditësh se e ka bërë të detyrueshme vendosjen e maskës në çdolloj mjedisi të mbyllur dhe në mjedise të hapura ku nuk arrihet të respektohet distancimi fizik. Ky vendimi sanksionon 2 mijë lekë të reja gjobë për çdo shkelje që konstatohet. Maska duhet vendosur edhe në shkallët dhe ashensorët e pallateve.

Noa.al kreu një vëzhgim në Tiranë, për të kuptuar sa është i mundur zbatimi i këtij vendimi. Në farmaci të ndryshme, mësuam çmimet dhe përdorimin e maskave.

"Ne kemi disa lloje maskash. Më e lira është 100 lekë të reja. Por duhet mbajtur jo më shumë se 2 deri në 3 orë, pastaj nuk ka më vlerë. Kjo lloj maske ka përbërës që pengojnë deri diku depërtimin e viruseve por efekti nuk zgjat më shumë se tre orë", – thotë një farmaciste në qendër të Tiranës.

Ndërsa shton: "Kemi edhe maska të tjera, më cilësore e një prej tyre që kushton 1500 lekë, por është për përdorim disaditor".

Një qytetare që u fut në farmaci për të blerë ndërkohë një maskë, pasi e pagoi, tha: "Ngelëm duke blerë maska përditë, por të paktën shkojmë të qetë në shtëpi se na ruan".

A është i saktë arsyetimi i qytetares? Farmacistja shpjegon: "Jo, mos harrojmë se maska mund të mbrojë midis 60 deri 70 për qind, që do të thotë se ka deri 40 për qind probabilitet të infektohesh edhe kur ke vënë maskë".

Farmacistja thekson se njerëzit duhet të jenë vigjilentë dhe të kuptojnë se maska nuk është shpëtim i plotë, ndaj shumë njerëz që blejnë maska duke thënë se me këto jemi në rregull, duhet të jenë të qartë se rreziku është sërish jo i vogël.

Por sa e kanë të mundur qytetarët që të blejnë rregullisht maska për të zbatuar vendimin, për ti shpëtuar gjobës dhe më e rëndësishmja, për tu mbrojtur deri diku nga infeksioni COVID-19?

Shumë qytetarë që folën me noa.al, ishin thuajse njëzëri të bashkuar në shqetësimin se financiarisht nuk e përballojnë dot blerjen e maskës.

"Unë punoj shitëse. Jam gjithë ditën në dyqan, e kam timin. Kur s’kam lekë unë që bëj tregti, lëri të tjerët, mos i pyet fare. Që unë të jem në rregull me shtetin, kap një maskë dhe e mbaj në dyqan gjithë ditën, të nesërmen prapë, e kështu plot ditë. Normal, unë dua 4 maska në ditë që ta bëj siç duhet, po ku janë këto lekë. Ne jemi rrënuar. Askush nuk vjen të blejë më rroba. A sheh njeri të hyjë dhe dalë në dyqan ti? Edhe kur vjen ndonjë tek-tuk, i kemi ulur fare çmimet se na ngeli malli dhe as që bëhet fjalë të blejmë të reja".

Si kjo grua, ka shumë në Tiranë që pohojnë se maskën e kanë sa për të thënë. "Ja më sheh mua, me maskë jam meqë u futa të blej kos. Po çfarë mendon ti se unë e ndërroj maskën përditë? Kam tre javë a më shumë që e kam blerë, po sa të mos haj ndonjë gjobë e vë se kur s’kam 1 mijë lekë të blej maskë, harroje të paguaj gjobë 20 mijë lekë që kanë vënë këta", thotë një burrë rreth 60 vjeçar pranë Pazarit të ri.

Pasi merr kosin dhe e paguan te shitësja që nuk mban asgjë në fytyrë, teksa del, të shton: "Kur s’e mban ajo që kush nuk i hyn e del në dyqan, do ta mbaj unë. Po më i dobëti e ha nga shteti, ndaj ça të bëjmë, do ta mbajmë", thotë i moshuari teksa rregullon mbi hundë maskën që dukshëm dallohet se ka shumë kohë që përdoret.

Një grua rreth të 55-ave, teksa bën pazar te tregu i hapur, në një moment futet tek një dyqan mishi. Teksa del me një qese të vogël në dorë, e pyesim përse nuk ka vënë maskë.

Përgjigja e saj ishte si kërkesë që e hasëm në disa njerëz që folëm: "Mirë e ke ti biro, po ku ti gjej lekët unë të blej maska. Këta janë të çuditshëm. E bëjnë të detyrueshme dhe nuk thonë a kanë mundësi ti blejë njerëzia. Unë për vete nuk kam lekë ta blej. Mora dhe qepa një vetë, e lava dhe e thava ca herë, më thanë kot e ke se nuk të mbron, duhet maskë farmacie".

Duke folur për këtë çështje, edhe mjeku i njohur Genc Sulçebe, thotë se përdorimi i maskave është i nevojshëm, por shton se ato duhet të jepen falas për njerëzit që nuk kanë mundësi ti blejnë.

Vëzhgimi i noa.al nxori në pah një shqetësim të përditshëm dhe jo të vogël të qytetarëve. Ata me të drejtë, kërkojnë zgjidhje dhe jo ndëshkime. Ndaj shteti, para se ti detyrojë njerëzit për të blerë maska, të llogarisë jo vetëm se do vjelë gjoba të majme, por edhe se ca njerëz që janë të paktën gjysma e popullsisë, kanë nevojë ti ndihmosh, duke i shpërndarë falas maskat. /noa.al/

Loading...