Transmetuar më 21-07-2020, 09:06

Greqia ka vendosur që të shtrëngojë masat për punëtorët e huaj sezonalë pas një shtimi të rasteve të reja me koronavirus në Ballkan.

Vitin e kaluar, më shumë se 10 mijë punëtorë sezonalë ishin të punësuar në sektorin e nujqësisë në Greqi, kryesisht nga Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

“Punëtorët sezonalë që largohen nga vendi para datës 4 gusht nuk do të jenë në gjendje të kthehen sërish në Greqi deri në një njoftim të dytë,” tha zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas.

Punëtorët sezonalë u lejuan të hynin në Greqi në fillim të majit nën një leje të veçantë tre-mujore.

Petsas shtoi se hyrja nëpërmjet tokës në Greqi do të lejohet vetëm përmes gjashtë pikave kufitare në veri për të kontrolluar më mirë rastet e importuara të Covid-19.

Nga kjo e mërkurë, hyrja në tokë ose nisja brenda dhe jashtë Greqisë për arsye thelbësore do të jetë e mundur vetëm përmes pikave kufitare në Kakavijë, Krystalopigi, Evzones, Promachonas, Nymphaia dhe Kipi. Ai u bëri thirrje qytetarëve grekë që të shmangin udhëtimet jo thelbësore në zona me një ngarkesë të lartë epidemiologjike, siç po ndodh aktualisht në Ballkan.

Vendimi do të jetë në fuqi deri në 4 gusht, kur rregullorja mund të ndryshohet edhe një herë.

Greqia filloi të lehtësojë masat kufizuese në fillim të majit, ndërsa rregullat e distancimit social vijojnë të zbatohen. Ajo ashpërsoi rregullat për udhëtarët nga Bullgaria në fillim të këtij muaji dhe rriti kontrollet brenda vendit.

Deri më tani në shtetin fqinj janë regjistruar mbi 4 mijë raste pozitive me Covid-19, ku 613 prej tyre të konfirmuara gjatë muajit korrik, kur vendi hapi kufijtë për turistët e huaj./monitor