Transmetuar më 22-07-2020, 01:08

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni po synon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e Kinës nëpër botë, duke i hapur kështu zyrtarisht luftë shtetit më të madh në botë, përmes strategjisë së bashkimit botëror kundër superfuqisë kineze.

Pompeo e akuzoi Pekinin se po shfrytëzon pandeminë e koronavirusit për të çuar më tej interesat e veta.

Pompeo i bëri deklaratat të martën më 21 korrik në Londër pas takimit me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe Sekretarin e Jashtëm Dominic Raab.

Tensionet midis Perëndimit dhe Kinës janë rritur për shkak të mungesës së transparencës nga ana e Pekinit në lidhje me shpërthimin e pandemisë, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, dhe akuzat e piraterisë në internet.

Pompeo tha se çdo vend që "kupton vlerat e lirisë dhe demokracisë" duhet të njohë kërcënimin që paraqet Kina.

"Shpresojmë se mund të krijojmë një koalicion botëror që e kupton këtë", tha ai.

Marrëdhëniet e SHBA-së me Kinën, janë të tensionuara për një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, teknologjinë 5G dhe të drejtat e njeriut.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën se e ka mashtruar botën në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Për SHBA, ashtu si dhe kudo në botë, është e papranueshme që Kina e izoloi COVID-19 në një qytet të saj, Wuhan, që e futi në karantinë totale, por lejoi të përhapej që andej në të gjithë globin.

Uashingtoni ka lobuar te aleatët, për të ndaluar përdorimin e teknologjisë 5G të kompanisë kineze Huawei, duke thënë se qeveria kineze mund ta përdorë atë për të spiunuar kombet perëndimore.

Pompeo vlerësoi lart vendimin britanik për heqjen e teknologjisë së Huawei-it nga rrjeti i tij i telefonisë celulare 5G.